Secondary Adv

Linjë hekurudhore Sukth-porti i ri i Durrësit, tender për projektimin

Autoriteti Portual Durrës synon të ndërtojë një linjë hekurudhore për transportin e mallrave, duke lidhur portin e ri tregtar në Porto Romano me stacionin hekurudhor në Sukth.

Ky dikaster ka hapur tenderin me një fond limit prej rreth 23.7 mln lekë për realizimin e projektit të detajuar teknik të kësaj linje, duke argumentuar se ndërtimi i saj do t’i japë portit të ri akses të drejtpërdrejtë me rrjetin hekurudhor kombëtar.

 

Në dokumentet e tenderit thuhet se linja hekurudhore Durrës–Tiranë, e gjatë 34 kilometra, po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë për të arritur standardet evropiane të qarkullimit me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë, duke përfshirë edhe sistemin modern të sinjalizimit dhe komandimit të trenave.

 

Kjo hekurudhë do të ketë 6 stacione, teksa në hyrje të stacionit Sukth mundësohet një lidhje hekurudhore, me zonën ku do të ndërtohet porti i Ri Tregtar i Durrësit në Porto Romano. Në dokumente specifikohet gjithashtu se degëzimi hekurudhor për të hyrë ne portin e ri është projektuar paraprakisht, për t’u lidhur me rrjetin hekurudhor kryesor, nëpërmjet një trekëndëshi hekurudhor.

 

Ndërkaq, parametrat teknike të ndërtimit të linjës hekurudhore Porto Romano – Sukth, duhet të lejojnë operimin e trenave të mallit, të cilët do të qarkullojnë nga rrjeti hekurudhor shqiptar, në rrjetin hekurudhor të BE dhe anasjelltas.

 

Përfitues të këtij projekti janë Autoriteti Portual Durrës dhe Hekurudha Shqiptare, teksa në perspektivë afatgjatë, kjo linjë synohet të lidhet me Korridorin 8 dhe rrugët hekurudhore drejt Kosovës dhe Evropës Qendrore, duke e shndërruar portin e Porto Romanos në një nyje strategjike ndërkombëtare. Ndërkaq, të dhënat e fundit të INSTAT për 3-mujorin e dytë 2025 treguan se volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve hekurudhore ishte 120.2 mijë ton, duke shënuar ulje me 16,1 %, në krahasim me tremujorin e dytë 2024. /Scantv


Më të lexuarat